Mario Mitaj është një nga lojtarët që ka fituar zemrat e tifozëve shqiptarë gjatë këtyre viteve të fundit, duke nisur nga kualifikueset e Euro 2024. Mbrojtësi ka “blinduar” krahun e majtë, duke qenë titullar absolut në formacionin e Sylvinhos dhe diçka e tillë pritet edhe në ndeshjet e këtij muaj në Nations League, ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.
Të gjithë u “dashuruan” me të për mënyrën si luan dhe shtyn përpara në zonën ofensive. Gjithashtu, qetësia që e karakterizon, kur ka topin apo jo, ka bërë që ai të shihet si “perfekti” i 11-shes së kuqezinjëve.
Megjithatë, pavarësisht se është në rolin e mbrojtësit, problemi i tij i vetëm janë aftësitë difensive. Diçka e tillë u pa qartë edhe në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë në “Air Albania”. Në shumë aksione të gjeorgjinaëve, Mitaj kalohej me shumë lehtësi, duke e bërë krahun e majtë të Kombëtares, si një nga pikat më delikate.
Por edhe gjatë sfidave të Euro 2024, Mitaj u pa në vështirësi në shumicën e rasteve, duke e patur shumë të vështirë t’i ndalonte kundërshtarët. Edhe pse vlen të theksohet se në Europian kishte përballë lojtarë si, Lamine Yamal, Ferran Torres, Pellegri i Italisë dhe korati Kramaric.
Megjithatë, i sapotransferuar te Al Ittihad në Arabinë Saudite, 21-vjeçari do të ketë mundësinë të stërvitet me lojtarë si Ngolo Kante apo Fabinho, të cilët mund t’i kenë treguar më shumë mbi aspektin mbrojtës dhe përmirësimin në atë repart.