Rami Hadar largohet nga Peja

Izraeliti Rami Hadar më nuk është pjesë e skuadrës së Pejës.

KB Peja të hënën nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me Hadarin, pasi ky i fundit ka ofruar dorëheqjen.

Skuadra pejane ka falënderuar trajnerin Hadar për kontributin e tij dhe i ka dëshiruar suksese në të ardhmen.

Hadar erdhi në krye të Pejës në muajin shkurt të vitit 2023 dhe arriti ta fitoj titullin e kampionit të Kosovës.

“KB Peja njofton se trajneri Rami Hadar ka ofruar dorëheqjen dhe nga tash e tutje nuk do të jetë më në krye të skuadrës. Në fillim të sezonit të tretë, trajneri Hadar ka vendosur që këtu është fundi dhe rrugëtimi te KB Peja përfundon”, ka shkruar KB Peja në njoftimin e saj.

Nuk është bërë e ditur se kush do ta zëvendësoj Hadarin në krye të ekipit, por Peja këtë sezon nuk ka pasur start të mirë.

Nuk arriti të kualifikohet në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, u eliminua në gjysmëfinale të turneut të Superkupës së Kosovës, ndërsa në kampionat ka regjistruar  2 humbje dhe një fitore në tri ndeshje të luajtura deri më tani.

Edhe pse është larguar nga Peja, Hadar mbetet përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës pasi vitin e shkuar firmosi kontratë afatgjate me FBK-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top