Tixhani Rejnders ishte një nga transferimet më të rëndësishme të Milanit në verën e vitit 2023, kur bleu lojtarin holandez nga AZ Alkmar për 20 milionë euro.
Por karriera e futbollistit mund të ishte krejtësisht ndryshe, siç ka zbuluar babai i lojtarit, Martin Reijnders, për ‘Algemeen Dagblad’.
“Tixhani i interesonte gjithashtu klubeve të ndryshme angleze, që kontaktuan nëpërmjet ndërmjetësve. Vetëm me Barcelonën fola direkt me Dekon, drejtorin sportiv. Kontrollova edhe foton e profilit, për t’u siguruar që ishte me të vërtetë ai.
Sigurisht që është shumë entuziazmuese që të kërkojnë, në fund të fundit është Barça, por kërkonin një zëvendësues për Buskets. Ndaj gjithashtu i thashë Tixhanit “ti nuk je ai lloj lojtari”.
Pa e kuptuar, përfundon në pankinë. Dhe kështu bëhesh një tjetër lojtar që dështon duke u transferuar jashtë”, shpjegoi ai pse zgjedhja kishte rënë te Milani dhe jo te katalanasit.