Rekord, asist dhe “sherr” me gazetarët, Modriç i bën të gjitha

Luka Modriç nuk plaket kurrë! Kroati që i është futur të dyzetave ka qenë vendimtar për Realin në fitoren 2-1 në Vigo të shtunën në mbrëmje. Nga këmbët e tij ka ardhur pasimi për gol (asist) për Vinicius, me brazilianin që ka finalizuar me suksesin topin e kroatit. Ishte goli i 2-1 për Realin që mbeti i pandryshuar deri në fund.

Por për Luka Modriç, ajo në Vigo ishte një ndeshje e veçantë. Sepse që nga e shtuna, kroati është bërë lojtari më i moshuar që zhvillon një ndeshje zyrtare me “Los Blancos”. me 39 vjeç e 40 ditë, ai ka lënë pas të gjithë, përfshirë këtu një prej legjendave të këtij klubi, Pushkash. Hungarezi e mbante këtë rekord prej vitit 1966 (39 vjeç e 36 ditë). Një arritje e veçantë e shoqëruar me asist dhe me fitore për mesfushorin kroat.

MOSHA QË E BEZDIS – Luka Modriç ka folur pas ndeshjes për mikrofonët e “Real Madrid TV”, duke mos e fshehur kënaqësi për fitoren e rekordin. Por edhe një farë bezdie sa herë që gazetarët i kujtojnë atij moshën. “Nuk më pëlqen aspak që njerëzit vazhdojnë të më kujtojnë moshën. Megjithatë unë jam krenar për veten time. Jam krenar për këtë rekord të veçantë që mbahej nga një tjetër figurë e madhe e klubit. Gjatë këtyre 13 sezoneve të mia në Madrid kam përjetuar gjithçka dhe është e vështirë të zgjedhësh një moment apo një tjetër.

Jam lojtari më i moshuar dhe lojtari me më shumë trofe në Madrid, diçka e pabesueshme. Personalisht ndihem mjaft mirë fizikisht dhe psikologjikisht dhe uroj të mos kem dëmtime. Pastaj unë do të jem gati në çdo moment për të sakrifikuar për ekipin. Kemi javë shumë të vështira përpara nesh dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe ecim përpara, ne kemi cilësi, por vetëm cilësia nuk mjafton”, tha Modriç.

Kroati ka folur edhe për fitoren në Vigo. “Ishte një ndeshje delikate dhe e vështirë për ne, që e kemi kaluar me sukses. Flas shpesh me Vinin dhe i kërkoj që të sulmojë hapësira, sepse kështu mund t’i bëjë dëme çdo rivali”, tha Luka.

PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top