Në prag të ndeshjes së nesërme kundër Qipros, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda dhe futbollisti në top-formë Edon Zhegrova, kanë shfaqur optimizmin e tyre.
Foda u shpreh i kënaqur me paraqitjen që ekipi tregoi në ndeshjen e kaluar kundër Lituanisë, ku Kosova dominoi lojën por nuk arriti të konkretizojë të gjitha rastet që krijoi. “Në ndeshjen e kaluar kemi treguar mjaft cilësi. Jemi përpjekur që ta vëmë kundërshtarin nën presion sa më herët, kemi bërë agresivitet në lojë, e kemi qarkulluar mirë topin.
Një mangësi e jona ka qenë që nuk kemi arritur të shënojmë më shumë gola. Nesër do të mundohemi të luajmë pak më ndryshe se sa në ndeshjen e fundit. E dimë që Qipro e ka ndërruar trajnerin, por ne duhet të luajmë sikur në Lituani, me energji dhe me mendësi të njëjtë. Qipro luan lojë mjaft dinamike, por ne jemi të përgatitur dhe presim të fitojmë”, tha Foda.
Ai tutje theksoi se Kosova në Lituani bëri lojë mjaft të mirë dhe tregoi se luan si ekip. “Edhe në bisedat që kam me lojtarët iu them se më e rëndësishmja është të luajmë së bashku”, shtoi ai.
Ai tutje ka folur edhe për atë nëse Arijanet Muriç do të vendoset në portë. “Aro Muriç është dashur të zëvendësohet pasi ka qenë i lënduar. Aro dje ka stërvitur dhe do të shohim nëse do të jetë plotësisht i gatshëm.
Ndërkohë, kemi mungesën e Elvis Rexhbeçajt për shkak të pezullimit me kartonë, derisa edhe Valon Berisha është në dyshim për shkak të lëndimit dhe do të shohim nëse do të jetë i gatshëm deri nesër”, deklaroi Foda.
Timonieri i Dardanëve nuk dha hollësi rreth formacionit të nesërm, pasi për gjithçka tha se do të vendosë pas stërvitjes së sotme.
“Nuk mund të them se kush do ta zëvendësojë Rexhbeçajn. Muharrem Jasharin e kemi vëzhguar dhe ka pasur paraqitje të mira, ka një dinamikë të mirë, por është me tipare të tjera nga ai.
Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që të jetë titullar, por këtë do të vendosim pas stërvitjes së sotme”, tha Foda.
Sa i përket synimeve të Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve dhe nëse do të ishte i kënaqur me pozitën e dytë në grup, ai tha: “Sigurisht se nuk jemi të kënaqur asnjëherë me vendin e dytë. Ne do të luftojmë deri në fund.
Është e rëndësishme që t’i vendosim prioritetet e larta. Duhet të fitojmë kundër Qipros, por gjithashtu ka rëndësi për ne edhe rezultati i ndeshjes Lituani – Rumani. Gjithsesi, ne synojmë fitore edhe në Rumani në nëntor”, nënvizoi Foda.
Sa i përket mungesës së Vedat Muriqit dhe nëse tashmë Kosova mund të bëjë mirë edhe kur ai nuk luan,
Foda theksoi se Muriqi është lojtar shumë i rëndësishëm. “Ai është një lider dhe lojtar që merr përgjegjësi.
Por, fatkeqësisht ai është i lënduar dhe na mungon. Por në raste të tilla dhe si ky i Rexhbeçajt, u hapet rasti lojtarëve të rinj. I kemi disa opsione, si Rrahmanin e Asllanin, me të cilët mënyra e lojës ndryshon pak, por që jemi të gatshëm të adaptohemi”, tha tutje Foda.
Në anën tjetër, Edon Zhegrova tha se ndjehet i qetë para ndeshjes së ardhshme dhe i gatshëm të japë më të mirën.
“Nuk ndjej presion, thjesht në çdo ndeshje vij dhe luaj me zemër dhe me kënaqësinë më të madhe për Kosovën. Ndeshja e kaluar në Lituani ka qenë e mirë, por kemi mundur të bëjmë edhe më mirë. Kemi mësuar prej gabimeve dhe besoj se në ndeshjen e ardhshme do të bëjmë edhe më mirë”, tha ai.
Ai u shpreh optimist se në ndeshjen e nesërme ekipi do të tregojë lojë edhe më të mirë se sa në Qipro. “Në ndeshjen e kaluar në Qipro ekipi ka bërë një paraqitje shumë të mirë, por besoj se edhe këtu në Prishtinë do të bëjmë lojë të mirë dhe të shënojmë sa më shumë gola. Jam i gatshëm ta barti barrën e ekipit me të gjithë bashkëlojtarët”, theksoi Zhegrova.