Sfida e kthimit luhet sot, Ançeloti: Nuk i besoj 1 përqindëshit të Guardiolës, do të jetë tjetër betejë

Dy ditë para ndeshjes së kthimit kundër Realit të Madridit në play-off në Ligën e Kampioneve, trajnerit i Sitit, Pep Guardiola nuk i jepte më shumë se 1% shanse kualifikimi ekipit të tij. Por gracka e Guardiolës duket se nuk e ka gjetur të papërgatitur homologun e tij te Reali i Madridit, Karlo Ançeloti.

Duke folur në konferencën për shtyp para takimit të sotëm, italiani i stolit të Realit ka përjashtuar mundësinë që menaxheri i Mançester Sitit, të besojë vërtet atë që tha përpara ndeshjes së dytë. “Guardiola nuk mendon kështu, sinqerisht.

Unë do ta pyes para ndeshjes nëse ai me të vërtetë mendon se ka 1% shanse për tu kualifikuar në ‘Bernabeu’. Jam i sigurt se ai mendon se ka më shumë shanse se kaq, siç është e drejtë, pasi dhe ne nuk mendojmë se kemi 99% shanse për të shkuar më tej. Ne kemi një avantazh të vogël dhe do të përpiqemi të bëjmë një tjetër paraqitje të mirë si në ndeshjen e parë”, tha ai në një konferencë për shtyp. Ançeloti pret një ndeshje “argëtuese” për spektatorët dhe një “të komplikuar”, pa i dhënë fund çështjes së kualifikimit.

“Ne e dimë se sa e vështirë është kjo lloj ndeshjeje, një kualifikuese në të cilin luajmë gjithçka në 90 minuta. Është një çështje psikologjike që ne e kemi parasysh, ka ndodhur shumë herë, por është e vështirë të rregullohet. Nuk mund t’u them lojtarëve të mi se ne nuk kemi një avantazh dhe se duhet t’i qasemi ndeshjes sikur të ishte 0-0 ose sikur, sikur, sikur… Por e vërteta është se nuk duhet të besojmë që të jemi kualifikuar pa luajtur”, tha ai.

Në konferencë, trajneri i Realit i është kthyer sërish çështjes së arbitrimit, duke thumbuar gjyqtarët spanjollë dhe kritikuar sistemin VAR. “Kam folur besoj gjatë dhe qartë në lidhje me arbitrimin. Vazhdoj të mendoj se në tri ndeshjet e fundit jemi dëmtuar nga arbitrat. mendoj se sistemi VAR po çalon, kam nisur të ngre dyshimet e mia. Por edhe gjyqtarët po gabojnë shumë. “Në Evropë ka shumë më pak polemika në këtë drejtim, më pak ndërhyrje nga VAR-i. Duhet të kihet parasysh se në Champions League vetëm gjyqtarët më të mirë nga çdo vend arbitrojnë, cilësia është e lartë në këtë drejtim”, argumentoi ai.

Back To Top