Ivan Perisic ka folur pas ndeshjes ku ekipi i tij PSV u mposht në transfertë përballë Juventusit me rezultatin 2-1. Kroati shënoi golin e vetëm për të tijët, por nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Megjithatë, Perisic është i bindur që do të jetë ekipi i tij që do të kalojë në raundin tjetër të Champions League.
“Ndeshjen time të fundit në Champions League e kam luajtur dy vite më parë. Është fantastike që jam rikthyer duke luajtur në këtë kompeticion madhor. Falë skuadrës që me të vërtetë bëri një punë të mirë në grup, por edhe shumë mirë këto ditë, jemi pozitivë. Kemi një tjetër ndeshje në shtëpi dhe me ndihmën e tifozëve tanë jam i sigurt se do të arrijmë të kalojmë raundin.
Juventus është një klub i madh, unë kam luajtur shumë ndeshje kundër tyre dhe ka qenë gjithmonë e vështirë. Jemi përgatitur mirë për ndeshjen, por siç thashë ka mbetur edhe ndeshja e kthimit për të luajtur. Besoj në ekipin tim dhe me pak më shumë fat mund të kalojmë në turin tjetër”, është shprehur sulmuesi korat, Ivan Perisic.
Kujtojmë se ndeshja e kthimit mes PSV dhe Juventus do të zhvillohet më 19 shkurt, duke nisur nga ora 21:00. Kujtojmë se kjo sfidë është e vlefshme për fazën “play-off” të 1/16-ave të Ligës së Kampionëve.