Interi ka ndryshuar. Është bërë më “i brishtë” dhe nuk duheshin 2 golat e Kenan Jildizit për ta kuptuar. Rënia pas fitores së titullit kampion është evidente dhe shqetësuese.Për këtë u fol ditën e djeshme në “Appiano”, por edhe në zyrat e klubit sepse problemi është kolektiv dhe duhet zgjidhur me një sforco të gjithë së bashku. Por nga skuadra e yllit të dytë ka mbetur shumë pak, për të mos thënë aspak. U kuptua që në javën e parë në Xhenova, që rrugëtimi i këtij sezoni në Serinë A do të ishte si një mal i vështirë për t’u ngjitur.
Javë pas jave, dëmtim pas dëmtimi deri tek ndeshja ping-pong në “San Siro” kundër Juventusit. Diferenca nga një vit në tjetrin është rritur. Nëse golat e shënuar në Serinë A janë vetëm 3 më pak sesa në sezonin e kaluar, pra 24 kundër 21 të këtij sezoni, golat e pësuar kanë rrëzuar sistemin e vitit të kaluar. Nga 5 gola kanë shkuar në 13, thuajse trefishi.
DIFERENCAT- Për të kuptuar ndryshimin e madh mjafton një tjetër e dhënë. Jan Zomer e ka nxjerrë topin e 13-të nga porta e tij më 4 mars, kur thuajse titulli kampion ishte “gatuar” dhe skuadra e Interit ishte 15 pikë përpara Juventusit. Në atë fitore 2-1, erdhi triumfi i 12-të radhazi zikaltër. Tani portat duken më të mëdha dhe makthet brenda një ndeshjeje po shtohen. Një tjetër e dhënë: Zikaltrit kanë pësuar 7 gola në pjesën e dytë dhe të gjithë nga minuta e 70-të dhe më vonë, madje 6 prej tyre në 10 minutat e fundit. Kjo shpjegohet me rënien e formës fizike. Nëse llogarisim golat e pësuar në Marasi në minutën e 95-të, të Gabias në të 88-tën dhe Jildizit në të 82-tën, Inzagi ka lënë 5 pikë. Dhe pikërisht këtu mund të rrezikojë Antonio Konte të arratiset seriozisht në garën për titullin.
TJETËR AJËR- Në të njëjtën kohë me sezonin e kaluar, ku Interi kishte arritur t’i fitonte thuajse të gjitha ndeshjet me përjashtim të një barazimi dhe humbjes me Sasuolon. Zikaltrit ishin të parët, vetëm një pikë më shumë sesa Milani dhe 2 më shumë se Juvja e Alegrit. Arratisja e Inzagit erdhi shumë më vonë, por sinjalet ishin të gjitha. Interi i këtij sezoni godet më pak portat kundërshtare. Edhe driblimet kanë rënë nga 5,44 në 2,56. Krahët që në fakt janë arma më e fortë e sistemit të Inzagit janë duke u përdorur gjithmonë e më pak. Vjet kalonin 62% e aksioneve, ndërkohë që tani 58%. Depërtimet gjithashtu drejt zonës kundërshtare kanë pësuar rënie dhe ka më pak duele në fushë. Interi rikuperon më pak topa sesa viti i kaluar dhe nuk lejonte kundërsulme si ato të Juventusit të dielën. A do të rikthehet sërish?PANORAMASPORT.AL