Shpalli Spanjën kampione dhe paguhet njëlloj sa Silvinjo, De La Fuente po pret ende t’i rrisin rrogën

Mund të duket e çuditshme por është e vërtetë. Trajneri i Spanjës, Luis De La Fuente, ka qenë trajneri që paguhej më pak mes atyre që drejtorin ekipet kryesore në Euro 2024, ku drejtoi skuadrën te triumfi duke bërë të sajën trofeun.

De La Fuente kishte rinovuar kontratën pak muaj para Europianit dhe i ishte premtuar se në rast suksesi, do t’i rritej ndjeshëm rroga. Por një gjë ë tillë nuk ndodhi për shkak të problemeve me drejtuesit e Federatës Spanjolle të cilët u shkarkuan për korrupsion dhe abuzim me detyrën, ndaj De La Fuente është ende në pritje të rritjes që i është premtuar, për t’iu afruar disi kolegëve të tij në përfaqësuese të tjera.

Sipas mediave spanjolle, rroga e De La Fuente është vetëm 600 mijë euro në vit. Një shifër e cila është e barabartë me atë që përfiton Silvinjo te Shqipëria për shembull, që cilësohet e ulët për trajnerë të standarteve të larta ndërkombëtare që drejtojnë ekipe më emër.

De La Fuente, pasi ia doli që të fitonte Ligën e Kombeve dhe më pas edhe Euro 2024 me Spanjën, vërtetoi se është emri i duhur për këtë detyrë. Ndaj sipas “AS”, ai pret që telashet administrative  të kalohen në plan të dytë dhe brenda muajve të ardhshëm, të realizohet edhe përmirësimi i ndjeshëm i pagës së tij.

PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top