Shqipëria luan sot shanset e mëdha për në Europian, duke qenë se ka një transfertë shumë delikate në Ishujt Faroe.Kuqezinjtë do të përballen për herë të parë në histori me këtë skuadër dhe duhet që ta nisin me këmbën e mbarë për të ndjekur ëndrrën Europiane.
Pas fitores në shtëpi ndaj Moldavisë, kuqezinjtë duhet të mbajnë ritmin dhe 3 pikët e radhës janë detyrim për të ndjekur hapin e kryesuesve. Ndeshja do të nisë në orën 20:45 dhe do të luhet në stadiumin “Torsvollur”, stadium me fushë artificial.
Ndoshta kishte kohë që në ndesh jet e Kombëtares, kundër një rivali deri diku modest si Moldavia, të shihnim një stadium me 20 944 mijë tifozë. Një atmosferë e veçantë, elektrizuese, e rrallë, dhe kjo për vetë faktin se në “Air Albania” për të mbështetur përfaqësuesen ishin të pranishëm një duzinë emrash të njohur të futbollit, që për më tepër ishin edhe të ulur jo larg njëri-tjetrit.
Igli Tare, Lorik Cana, Altin Lala, Sokol Kushta, Mirel Josa, Perlat Musta, Andrea Marko dhe shumë e shumë të tjerë. Nuk munguan as Endri Çekiçi me Odise Roshin, të cilët nuk u preferuan nga Silvinjo për këtë grumbullim, por edhe Armando Broja fluturoi nga Londra dhe ndoqi nga afër shokët e tij.
Ndërkohë, sa i përket Silvinjos, braziliani kishte në shkallët e stadiumit familjarët e tij, të cilët e ndiqnin për herë të parë në drejtimin e Shqipërisë. Momentet më pikante të sfidës Shqipëri-Moldavi nga “Panorama Sport”.
* Stadiumi ishte pothuajse i mbushur plot, me përjashtim të dy tribunave mbrapa portës, të cilave u janë hequr stolat, për të mbushur ato pjesë të thyera, të cilat janë shkaktuar nga dëmtimet gjatë derbit Tirana-Partizani.
* Ndeshja e parë e këtyre eliminatoreve të Kombëtares shqiptare të futbollit në “Air Albania” ka përkuar edhe me vizitën në vendin tonë të familjarëve të trajnerit Silvinjo, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij kanë ndjekur ndeshjen nga tribuna duke iu gëzuar padyshim suksesit të kuqezinjve. Vajza e trajnerit kishte zgjedhur fanellën e portierit për ta mbajtur në tribunë, ndërsa djali atë të kuqen. Bashkëshortja e tij, Lucie, u shfaq në ndeshje me një fanellë të personalizuar.
Bëhej fjalë për fanellën e tretë të Kombëtares shqiptare të futbollit, të zezën, të cilën ajo e mbante në këtë sfidë. Bashkëshortja e Silvinjos kishte zgjedhur fanellën me numrin 16, të cilën me sa duket në FSHF ia kishin personalizuar me emrin e saj për këtë ndeshje
* I pranishëm në tribunë ishte edhe kryeministri Edi Rama, së bashku me djalin e tij Zaho, i cili pas ndeshjes u pa duke hyrë në fushë dhe festuar me lojtarët.
Në momentin që futbollistët dalin, Keidi Bare hap duart drejt qiellit dhe lutet për një rezultat pozitiv. Mesfushori nuk ishte në muajin mars me Kombëtaren.
* Gjatë takimit, Silvinjo e përjeton shumë lojën, dhe shihet që ulet shpesh i vetëm në fushë dhe e sheh nga poshtë. Në një moment i flet Uzunit: “Luaje shpejt Uzun”, ndërsa Ramadanit i kërkon të pasojë vetëm top të ulur poshtë.
* Duket se fusha kishte një problem, përveç pjesës përballë stolit, edhe nga ana tjetër u pa rrëshqitja e Asanit në disa momente.
* Një banderolë hapet nga tifozët kuqezi mbrapa portës: “Ma zor mblidhen dy shqiptarë, sesa mblidhet një thes me pleshta”.
* Kombëtarja U-21 dhe ajo U-19 ishin duke ndjekur të gjithë bashkë këtë takim.
*Ngacmime me humor pati edhe në tribunë ndaj presidentit të Vllaznisë, Alban Xhaferi. Dikush me shaka i thotë: “Hë mo, a bëheni mjaftueshëm për kalçeto”, referuar largimeve të shumta nga klubi shkodran.
* Ajo që u vu re gjatë këtij takimi, ishte përjetimi i Silvinjos. Trajneri u pa që me të gjithë lojtarët, kishte një lidhje të fortë, teksa në disa momente dhe në humor i merrte me “shpulla”, për t’i karikuar.
Taulant Seferi dhe Kristjan Asllani ishin ata që “hëngrën” shpulla me humor nga Silvinjo, gjatë kohës kur po përgatiteshin të hynin në minutën e 67-ë në fushë, kur rezultati ishte 1-0. Por, jo vetëm ky rast, pasi në një moment, braziliani te viza anësore qesh me Hysajn dhe e kap prej veshi.
Ndërkohë, në fundin e takimit, trajneri e “pëson”, pasi e vonon kryeministri Edi Rama dhe kreu i FSHF-së Armand Duka, në një takim në ambientet e stadiumit. Më pas me shpejtësi, 49-vjeçari vjen dhe flet për gazetarët.
* 70’ Blicet e telefonave pushtojnë “Air Albania”-n, tifozët dhurojnë spektakël në stadium për disa minuta, duke krijuar një atmosferë shumë të bukur.
* Nuk munguan flakadanët, të cilët u ndezën nga grupimet
“Fanatics” dhe “Shvercerat”, të cilët ishin bashkuar në mbështetje të Kombëtares. Por, hedhja e sendeve në fushë, mund t’i kushtojë Federatës Shqiptare të Futbollit një gjobë në vlerë monetare nga UEFA.
* Në përfundim të ndeshjes, pasi të gjithë u larguan nga stadiumi, lojtarët, të cilët nuk u aktivizuan dhe Muçi me Seferin, të cilët hyjnë në fushë në fund, u stërvitën në stadium, për të marrë ngarkesën e duhur.
* Në konferencën për mediat në përfundim të takimit, Silvinjo, pasi u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, e bën zakon dhe e mbyll shqip konferencën: “Natën e mirë, faleminderit”, thotë braziliani.