Entuziazmi i çdo shqiptari është shumë i lartë pas fitores historike të Kombëtares shqiptare përballë Polonisë mbrëmjen e djeshme në ‘Air Albania’. Shqipëria fitoi me rezultatin 2-0 me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut duke marrë 3 pikë të arta që na vendosin në vendin e parë.
Festa ishte e madhe për çdo shqiptar, por puna në zyrat e FSHF vijon për të përforcuar pgrupin e Kombëtares. Pas ndeshjes së mbrëmshme, në Kosovë u raportua për një interesim të FSHF për shërbimet e mbrojtësit të djathtë të Ballkanit, Armend Thaqi, i cili shihet si një mundësi për t’ju bashkuar grupit të Sylvinhos.
Por, jo vetëm ai, Kombëtarja shqiptare është vënë në ndjekje edhe të Lumbardh Dellovës, sipas ‘Futbolli Kosovar’. Qendërmbrojtësi i Ballkanit është kontaktuar nga vetë Sylvinho për të veshur fanellën kuqezi. Të dy lojtarët kanë shkëlqyer me Ballkanin, por ftesa nga Kosova u ka munguar dhe në këtë mënyrë mund të kemi një situatë të ngjashme si ajo e Mirlind Dakut.