Një ndër pikat e forta të punës së Silvinjos si trajner, padiskutim që është edhe videoanaliza.
Në deklaratat e tij, por edhe të stafit teknik, është shfaqur hapur që një pjesë e mirë e përgatitjeve të ndeshjeve vijnë nga analiza me video e kundërshtarëve dhe kjo nuk ndodh vetëm në Kombëtaren shqiptare, por gjithandej. Por, diçka interesante ndodhi në mbrëmjen e së martës, ku të gjithë kuqezinjtë pasi kishin përfunduar stërvitjen, u “mbërthyen” para ekranit për të ndjekur ndeshjen që Italia luajti me Turqinë, një barazim i thatë pa gola.
Padyshim përveç analizave të detajuara të kundërshtarit që u shpjegohen lojtarëve tek e tek nga trajneri dhe stafi teknik, të gjithë patën mundësinë që të shihnin dhe të krijonin një ide më të mirë për rivalët që do të kenë në fushë më 15 qershor. Megjithatë, gjithçka mund të ndryshojë në kampin kundërshtar deri atëherë, por djemtë e Silvinjos do të kenë mundësinë për të ndjekur edhe ndeshjen e fundit miqësore që Italia do të luajë kundër Bosnjën më datën 9 qershor.
FOTOT ZYRTARE- Kombëtarja vijon me përgatitjet në Austri, teksa e marta përveç stërvitjen ka qenë edhe dita e veshjeve speciale. Sakaq, kuqezinjtë kanë realizuar edhe fotot zyrtare para finaleve të “Euro 2024”. Kombëtarja shqiptare, ashtu si edhe në “Euro 2016”, edhe këtë herë do të vishet me kostumet e atelier “Altin Mici”, që kuron imazhin e kuqezinjve dhe ka realizuar një set veshjesh speciale për ekipin dhe të gjithë stafin kuqezi.