Bylis dhe Laçi kanë mbyllur në barazim sfidën mes tyre, të luajtur në kuadër të javës së 12-të të Superiores. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” në Ballsh, përfundoi 0-0. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i ballshiotëve, Nevil Dede.
“U munduam t’i bënim të gjitha. Në tranzicion negative rrezikuam, në shumicën e rasteve e bëmë dhe me topin në këmbë. Gjithësesi bravo çunat për mënyrën se si e luftuan ndeshjen. Mund të bënin më mirë patjetër, por duhet që gjatë gjithë kohës të besojmë te përmirësimi. Është kampionat i vështirë dhe i luftuar. Tani do fokusohemi te ndeshja e radhës dhe shpresoj ta kalojmë sa më shpejt këtë të sotmen.
Peraltën nuk mund ta hidhja më në fushë, pasi nuk ndihej mirë dhe përgjegjësia do ishte për mua dhe stafin tim. Uendel nuk u përfshi si duhet në lojë. Sulovari në qendër? Ai konsumohej dhe s’po e mbulonte dot më gjerësinë, dhe Uendel që nuk mori dot ritmin e ndeshjes. Ka disa situata në ndeshje që lojtarët tanë duhet të kapin ritmin që në momentin e parë sepse pankina është ajo që për mua është shumë e rëndësishme.
Presioni me kundërshtarë direkt? Është e vërtetë. Unë e thashë që ne nuk duhet ta përjetojmë në këtë formë në bazë të gjendjes emocionale jo të duhur. Unë jam i bindur që kjo skuadër do vazhdojë të ecë përpara. Entuziazmi i Laçit ishte më i madh, por ne nuk kishim qetësinë e duhur dhe as durimin. Kjo solli këtë ndeshje. Nuk vuajtëm taktikisht.
Me një fitore sot ne mund të parakalonim 3 skuadra, por kundërshtarët aty janë me 1 pikë larg. Dhe tashmë ne pretendojmë të rritemi edhe gjatë një ndeshje. S’kishim durimin, nuk e mbajtëm konstant kontrollin e saj. Laçi meritoi 1 pikë, pasi po të krahasohemi me raste aty-aty ishim. Menaxhimi i ndeshjes duhet të jetë më korrekt për çdokënd. Unë nuk e kam personale, por më duket pak tendencioze. Kur bëhen dy zëvendësime, të paktën më lër që të mbaroj aksionin”, tha Dede.