Në Tbilisi në stadiumin “Mikheil Meskhi Stadium” do të përplasin “brirët” për fitoren Gjeorgjia dhe Shqipëria, duel ky që do të startojë në orën 18:00. Një sfidë ku fitorja për kuqezinjtë është “jetike”, si i vetmi shans për të mbajtur gjallë “shpresat” për vendin e parë në grupin B1.
Kombëtarja jonë do të luftojë për çdo cep të fushës dhe deri në sekondën e fundit për të siguruar 3 pikësh, që këtë herë vlejnë shumë, vlejnë për krenarinë kuqezi dhe për moral. Por 3 futbollistë do të duhet të tregohen shumë të kujdeshëm, pasi në të kundërt rrezikojnë duelet e muajit nëntor.
Kjo pasi 3 lojtarë janë të ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe rregullorja e Nations League thotë që nëse një lojtar merr 2 kartonë të verdhë në ndeshje të ndryshme atëherë në sfidën pasardhëse do të jetë i pezulluar.
Në “fije të perit” janë Jasir Asani, Thomas Strakosha, të cilët janë ndëshkuar në duelin me Ukrainën të luajtur në Pragë. Ndërkohë ditën e djeshme u ndëshkua me karton të verdhë edhe Mirlind Daku. Të 3 këto futbollistë duhet të jenë shumë të kujdeshëm me Gjeorgjinë për të mos u ndëshkuar sërish, psi në të kundërt do të mungojnë në sfidën e ardhshme.
Kujtojmë se dhe Uzuni është një nga lojtarët me 1 karton të verdhë, i cili është ndëshkuar kundër gjeorgjianëve në “Air Albania”. Por sulmuesi u largua nga grumbullimi i Kombëtares pak ditë më parë për shkak dëmtimi.