Ndonëse nuk ka debutuar akoma me skuadrën e Barcelonës, Wojciech Szczęsny është detyruar të bëjë “pritjen” e tij të parë. Ish-portieri i Juventusit u ngacmua nga Mundo Deportivo për një çështje që nuk ka lidhje me fushën e blertë.
Gjatë intervistës së dhënë për gazetën spanjolle, ai u pyet për zakonin e pirjes së duhanit, pa të cilin duket se nuk e bën. Përgjigja e polakut nuk vonoi dhe u kthye në mbrojtjen e tij, siç mund të shihet nga fjalët e mëposhtme.
“Çfarë mund të them për faktin që pi duhan? Absolutisht asgjë. Këto janë gjëra që nuk i ndryshoj në jetën time dhe nuk është punë e askujt nëse pi duhan. Nuk ndikon, mendoj se nuk ndikon. Gjithashtu sepse në fushën e futbollit punoj dy herë më shumë.
Nuk pi duhan para fëmijëve për të mos u ndikuar keq tek ata. Ndonjëherë dikush më bën fshehurazi një foto pas pemëve dhe unë nuk mund t’i shoh. Nuk varet nga unë. Mundohem ta fsheh dhe të mos ua tregoj njerëzve. Por nëse dikush mendon se unë do të ndryshoj mënyrën se si shprehem në jetën time personale, ai mund të mendojë përsëri sepse unë jam ky që jam. Unë kam qenë kështu gjatë gjithë jetës sime dhe kjo nuk është punë e askujt. Dua të gjykohem si portier dhe jo për histori të tjera”, ka thënë mes të tjerash Szczesny.