Takim me drejtuesit e klubit, Konte drejt rikthimit në Serinë A te skuadra e…

Ndërkohë që nga qendra stërvitore e Juventusit, “Kontinasa”, mbërriti lajmi për një dhomë zhveshjeje të trazuar me Alegrin të tërbuar kundër lojtarëve dhe anasjelltas, mësohet se klubi ka kontaktuar Antonio Konten.

Lajmi është i sigurt dhe sipas së përditshmes “Repubblica”, drejtuesit Kalvo dhe Xhuntoli e takuan atë në mëngjesin e së dielës. Mbi të gjitha po vlerësohet ana ekonomike.

Bardhezinjtë kanë folur me ishmesfushorin dhe ndoshta do të bëjnë të njëjtën gjë edhe me një “ish” tjetër si Igo Tudor. Nuk e dimë përgjigjen e Kontes, por ky është një tjetër sinjal që stoli i Alegri është në diskutim.

SITUATA

Edhe në prag të ndeshjes së djeshme me Leçen, skuadra i bëri të ditur klubit se nuk mund ta tolerojë më trajnerin dhe sjelljet e tij. Vlahoviç dhe disa të tjerë vijojnë të mos i gëlltisin vendimet e Alegrit, që nga ana e tij këmbëngul me idetë e tij.

Ky është një lajm që mësohet të ketë dalë nga një burim shumë i besueshëm pranë Kontes, që mezi pret të rikthehet në profesion, teksa ecuria e bardhezinjve, sidomos në aspektin e lojës, i shton çdo ditë e më shumë zërat për shkarkimin e Alegrit, që po bëhen gjithnjë e më këmbëngulëse.

Alegri mbase nuk ndihet shumë i sigurt për vijimësinë në stolin e “zonjës”, por ama ka një armë të fortë në dorë. Ajo është kontrata deri në vitin 2025 me 11 milionë euro në vit, shifër nga e cila vështirë se trajneri aktual do të pranojë të heqë dorë.

Nga ana tjetër, Konte duket gati për të sakrifikuar ekonomikisht. Pavarësisht se paga e tij e fundit te Totenhemi ishte në rendin e 15 milionë eurove, ai mund të pranojë edhe 10 milionë vetëm për t’u kthyer te Juventusi, ku synon të nisë një cikël të ri, mbase duke filluar që nga sezoni i ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top