Finalja e Europa Leauge mes Romës dhe Sevillas, e luajtur në “Puskas Arena” të Budapestit, shërbeu edhe për një takim mes numrit një të UEFA-s Aleksander Ceferin dhe presidentit të FIGC (Federata Italiane e Futbollit) Gabriele Gravina.
Sipas shtypit italian, mes temave të ndryshme të bisedës më e nxehta ishte padyshim çështja e Juventusit. Ceferin ia ka bërë të qartë Gravinës se dënimi i dhënë për Juventusin është i pamjaftueshëm!
“Zonja e Vjetër”, fillimisht u dënua me heqjen e 10 pikëve për shkak të çështjes së plusvalencave, ndërsa dënimi i dytë solli vetëm një gjobë prej 718 mijë eurosh. Ky vendim erdhi si pasojë e një marrëveshjeje mes Prokurorisë Federale dhe klubit bardhezi. Që pranoi fajin dhe përfitoi një dënim më të zbutur.
Vetë UEFA do të preferonte që Juventusi të mbetej jashtë Europës. Por bardhezinjtë e kanë të sigurt një vend që të dërgon në Conference League, ndërsa në javën e fundit të Seria A do të diskutojnë edhe mundësinë për të arritur vendin e gjashtë që të dërgon në Europa League.
Megjithatë, goditjen finale Juventusit do ia japë vetë qeveria europiane e futbollit, pasi UEFA ka nisur hetimet. Klubi italian shpreson që vendimi final të jepet sa më shpejt, pasi mund të humbasë garimin në Conference League.
Në rast të kundërt, nëse hetimet zgjasin vendimi përfundimtar do të jepej për sezonin 2024/2025. Që do të thotë se Juventusi rrezikon sërish të heqë dorë nga Champions League, edhe në rast kualifikimi…