Të gjithë kundër të gjithëve te Lacio pas largimit të Tares, Sarri mbylli skuadrën në dhomat e zhveshjeve

Barazimi 1-1 i Lacios ndaj Monzës dhe vetëm 4 pikë pas 5 ndeshjeve të para në Serinë A, ka bërë që te klubi bardhekaltër të shpërthejnë kriza dhe tensioni, që nuk po kursen askënd. Kjo duket qartësisht nga ajo që kanë bërë trajneri Mauricio Sarri dhe presidenti Klaudio Lotito pas ndeshjes.

Mediat italiane raportojnë se Sarri ka qenë i tërbuar me skuadrën dhe e ka mbyllur atë në dhomat e zhveshjeve duke i bërë moral, teksa nuk lejonte askënd tjetër nga stafi  dhe drejtuesit e klubit që të hynin brenda dhe të dëgjonin atë që u thoshte lojtarëve, i frikësuar se do të kishte “rrjedhje lajmesh në media”. Trajneri më pas i anuloi ditën e pushimit ekipit, duke bërë të qartë se i kërkonte të gjithë në stërvitje.

Më pas, të njëjtën gjë para skuadrës e kishte bërë edhe presidenti Klaudio Lotito, i cili kishte hyrë edhe ai në dhomat e zhveshjeve duke i bërë moral ekipit për paraqitjet e dobëta që kishte dhuruar. “Furtuna” e presidentit kishte vazhduar në klub me trajnerin me të cilin ka pasur një diskutim të ndezur rreth zgjedhjeve teknike që ka bërë, duke i kujtuar se ka shpenzuar 101 milionë euro për merkaton dhe se duhej të kishte aktivizuar një lojtar si Kastejanos, të paguar 13 milionë euro.

Me pak fjalë, situata nuk është ndër më të lumturat dhe askush në klub nuk di çfarë drejtimi do të marrë. Por nëse seria e rezultateve të dobëta vazhdon, nuk është aspak çudi që te bardheklatrit të nisë revolucioni i radhës, duke filluar nga vetë trajneri Sarri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top