Kombëtarja shqiptare e futbollit me sa duket do të humbasë përsëri shërbimet e Berat Gjimshitit për ndeshjet e saj në Ligën e Kombeve. Mbrojtësi është dëmtuar në mesjavë në Ligën e Kampioneve dhe nuk u grumbullua nga Atalanta për ndeshjen e fundjavës në Serinë A.
Trajneri Silvinjo kishte bërë të ditur se do të komunikohej me stafin e bergamaskëve për të marrë vendimin rreth lojtarit.
Por ndërsa FSHF nuk ka dhënë asnjë shpjegim rreth kësaj çështje, në Itali e kanë bërë fakt të kryer mungesën e kapitenit të kuqezinjve për ndeshjet ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.
“L’Eco di Bergamo” ka mësuar nga burime pranë klubit se Gjimshiti nuk do të paraqitet në grumbullimin e Kombëtares pasi është rënë dakord që ai të lihet pushim për të rikuperuar nga ky dëmtim në ijë që pësoi në Ligën e Kampioneve.
Kjo do të jetë një mungesë e rëndësishme për Shqipërinë, ndonëse në momentin aktual, trajneri Silvinjo ka mjaft alternativa sa i përket qendrës së mbrojtjes.