Ardi Behari ka habitur me parashikimet e tij për ndeshjet e ditës së nesërme në Superiore. Ai ka folur në emisionin “SuperGol” të moderatores Hygerta Sako, ku ka shprehur mendimin e tij mbi Tirana-Laçi dhe më së shumti rreth sfidës mes Elbasanit dhe Skënderbeut që zhvillohen nesër në të njëjtin orar.
Behari ka thënë se Tirana do të ketë shumë problematika me Laçin dhe kjo si pasojë e shtegtimit “derë më derë”. Ajo që ka bërë më shumë çudi ka qenë fakti se trajneri dhe analisti e sheh ndeshjen në Elbasan si një ndeshje pa histori fare.
“Nuk shikoj histori te Elbasani. Elbasanasit do e kenë si “detyrë shtëpie” ndeshjen ndaj Skënderbeut. Nuk e shoh si të lehtë apo të kalueshëm ekipin korçar, por klubi i Elbasanit është më mirë, luan brenda me mbështetjen e tifozëve dhe me gjithë respektin për ish-kampionët e Shqipërisë, “Verdheblutë” i shikoj favoritë për vetë faktin se çfarë objektivash kanë dy skuadrat.
Kanë kualitet të dy klubet, por nuk është se Elbasani luan me emrin më të vështirë në Kampionat. Tiranën e shoh të vazhdojë të vuajë pasi ka shtegtuar. Mos luajtja në fushën tënde sjell pasoja dhe kjo u pa në derbi. E shoh prapë të ketë probleme të mëdha kundër Laçit”, u shpreh analisti Ardi Behari.