U mposht nga Dinamo, trajneri i Laçit: U përballëm me një skuadër të fortë, erdhëm me personalitet të madh

Dinamo-Laçi ka përfunduar me rezultatin 2-1. Java e 8 e “Abissnet Superiore”-s është hapur me fitoren e dinamovitëve. Nëndetësja ka shënuar nga një gol në secilën pjesës për të mbërritur në fund te tre pikët. Fillimisht ishte Itodo ai që zhbllokoi ndeshjen në minutën e 22-të, ndërsa në minutën e 54-t ishte Zabërgja ai që shënoi golin e dytë.

Ndërkohë Kurti ngushtoi shifrat në 2-1 për Laçin në minutën e 97, por ishte tepër vonë për të shmangur humbjen. Ilir Daja mori kështu tre pikët e radhës në Superiore, të cilat e dërgojnë në krye të tabelës së renditjes. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.

Pasiatore (Laçi): “U përballëm me një skuadër të fortë, skuadër të rëndësishme. Mendoj që erdhëm këtu me personalitet të madh. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, por na ka munguar faza sulmuese. Ndeshja shkoi në favor të Dinamos për shkak të kualitetit që kanë skuadrat në fazën sulmuese. A do të jem unë trajneri i përhershëm i Laçit? Mendoj që është më mirë të flasim për ndeshjen sot. Kjo është diçka që i takon presidencës”.

Daja (Dinamo): “Po marrim pikët, por kemi probleme me lojën. Megjithëse jo në të gjithë 90 minutëshin. Një pjesë të fajit e kam unë, sepse ka edhe gabime të nivelit taktik. Ishin gjërat e thjeshta, që me 2 apo 3 lëvizje, mund të pështjellonim ekipin kundërshtar. Kështu që po e delegoj fajin një pjesë te lojtarët dhe një pjesë te vetja ime. Ndërprerja nga Kombëtaret është një lajm  i mirë për ne. Kemi bërë një start jo të mirë të kampionatit dhe lojtarët ende nuk kanë atë pjesën e vetëbesimit. Është gati një muaj që unë jam në drejtimin e Dinamos. Kemi filluar të përmirësojmë diçka, por jemi shumë larg asaj ku duam të jemi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top