“Udhëtim i vështirë, ishin katër orë rrugë”! Silvinjo i bashkohet Ismajlit: Shumë respekte për Gjeorgjinë, por nuk kemi kohë, duhet të fitojmë

Shqipëria do të përballet nesër kundër Gjeorgjisë në transfertë pas humbjes kundër Cekisë. Në konferencën për shtyp sot ishte i pranishëm Ardian Ismajli, në krah të trajnerit Silvinjo. Në fillim ishte mbrojtësi që foli para mediave. Lojtari i Empolit është shprehur i sigurt se situata e keqe e rezultateve do të përmbyset nesër kundër Gjeorgjisë.

“Ne kemi ardhur këtu për tre pikë, nuk ka rrugë tjetër për të mbajtur deri në fund garën e hapur. Besoj se nesër do të dalim me tre pikë nga ky stadium. Kemi dy humbje në dy ndeshjet e fundit, por kur i sheh ndeshjet sesi shkuan, me Gjeorgjinë nuk e merituam humbjen. Do të shohim përpara, vetëm fitorja na bën punë tani. Stafi e ka analizuar me kujdes Gjeorgjinë, pikat e forta dhe pikat e dobëta, besoj se do të dalim me sukses nesër”, tha Ismajli. Nga ana tjetër, Silvinjo u shpreh:

“Kemi shpenzuar shumë energji në ndeshjen e kaluar, Cekia është shumë fizike dhe na lodhi me lojën e tyre. Kemi pasur një udhëtim të vështirë nga Praga në Tbilisi, katër orë rrugë dhe për këtë arsye do të presim deri në fund për të vendosur formacionin. Në këtë grup mund të ndodh gjithçka. Duhet të jetojmë me realitetin. E dimë që nëse nesër nuk fitojmë, do të dalim nga gara. Duhet të fitojmë me patjetër nesër, në nëntor pastaj kemi avantazhin pasi i luajmë të dyja ndeshjet në shtëpi, por nuk duhet të mendojmë për nëntorin. Ndeshja e parë e jonë ishte tërësisht e barabartë, 50 me 50. Megjithë respektin për Gjeorgjinë, por tani nuk kemi më kohë, duhet të fitojmë”, tha Silvinjo. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top