Fitorja e Shqipërisë ndaj Moldavisë është vlerësuar maksimalisht nga trajneri Silvinjo, i cili e ka konsideruar një fitore të marrë me zemër dhe me shpirt nga paraqitja që lojtarët kanë bërë. Pas ndeshjes, ai ka folur për gazetarët në një konferencë shtypi.
“Fitorja ndaj Moldavisë? Sigurisht që lojtarët kanë dhënë 100% duke vrapuar me 100 km/h dhe kanë bërë atë që kemi kërkuar. Bënë ndeshje shumë të mirë dhe më pëlqyen, sidomos tifozët që ishte stadiumi plot dhe një emocion i madh.
Sulmi? Jam shumë i kënaqur nga skuadra. E dinim që ishte ndeshje e vështirë dhe që do të luante me 3-5-2 e fokusuar në mbrojtje dhe duhej kujdes kur humbisnim topin sepse niseshin shpejt. Janë të fortë fizikisht. Ndryshuam formacionin nga Polonia ku ishim me 4-3-3 dhe tani luajtëm me 4-2-3-1 me Bajrmanin që bëri shumë mirë pas Cikalleshit.
A është kjo Shqipëria e Silvinjos? Mos e quani skuadra e Silvinjos, por është skuadra e Shqipërisë. Kemi mundësi të bëjmë diçka të rëndësishme dhe mund të arrijmë objektivin tonë. Është një ekip me shumë dëshirë dhe ata janë protagonistët. Ne si staf na takon të bëjmë menaxhim të mirë dhe kam folur me lojtarët. Jo vetëm me këta 26 por me të gjithë dhe vetëm bashkë mund të shfrytëzojmë mundësitë që kemi.
Familjarët e Silvinjos në stadium? E vërtetë që familja është këtu por sigurisht punën e bënë lojtarët sepse ishin të karikuar. Isha i shqetësuar para ndeshjes se mos atmosfera ndikon për keq por ata e menaxhuan mirë dhe dhanë atë që ne donim duke luajtur me shpirt dhe me zemër në fushë”, u shpreh Silvinjo.