Video personale, manovra të reja të trajnerit. Ja plani i Silvinjos për sfidën me Çekinë

Kalendar i ngjeshur dhe kohë e pamjaf tueshme për të stërvitur ekipin në fushë. Kjo është situata në dy muajt e fundit sa u përket ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese. Jo vetëm Shqipëria, por të gjitha kombëtaret e tjera, e kanë kohën e limituar dhe futbollistët që kanë thirrur për të përfaqësuar kombin e tyre, do t’i kenë në dispozicion vetëm për pak ditë.

Shqipëria do të luajë ditën e enjte, datë 12 tetor, ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Çekisë, e vlefshme për “Euro 2024”, ndërkohë lojtarët dhe stafi teknik do të nisin përgatitjet më datën 9 tetor.

Vetëm tri ditë kohë për të përgatitur një takim të tillë, por nuk është çështja vetëm te ditët e pakta, por edhe te lodhja e futbollistëve. Shumica prej tyre do të jenë në fushë me klubet e tyre të dielën më datën 8 tetor dhe të nesërmen, në ditën e parë me ekipin kombëtar, lojtari vjen i ngarkuar dhe do të ketë nevojë vetëm për rikuperim nga ngarkesa e marrë.

Por, ka edhe futbollistë që do të zbresin të hënën në fushë, siç është rasti i Keidi Bares tek Espanjoli. Kështu, praktikisht për Silvinjon është e pamundur që të punojë diçka të mirëfilltë në fushë me skuadrën dhe për këtë, braziliani ka marrë të gjitha masat, duke përgatitur çdo gjë paraprakisht nëpërmjet videove.

VIDEOANALIZA- Patjetër që në vitet e fundit teknologjia ka përparuar dukshëm dhe sot, të gjithë trajnerët punojnë duke analizuar lojërat e tyre, të kundërshtarit, por edhe situata loje të kaluara për të përmirësuar apo mësuar diçka të re.

Kjo do të jetë edhe strategjia e Silvinjos që për çdo dilemë, rrezik, kujdes, ai ta përgatisë nëpërmjet videos dhe në momentin që lojtarët do të grumbullohen do t’i udhëzojë tek e tek për ato që kërkon në fushë. Patjetër që një videoanalizë kolektive do të bëhet, por trajneri i Kombëtares është i fiksuar që të merret me çdo detaj të përgatitjes të një ndeshjeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top