Inter Majemi është mundur në MLS me rezultatin 4-1 nga skuadra e Çikago Fajër, me Xherdan Shaqirin që shkëlqeu me dy gola përballë ekipit të Leo Mesit.
Ky i fundit vazhdon të qëndrojë ende jashtë fushave për shkak të një dëmtimi, gjë që duket se po i kushton shumë skuadrës nga Florida.
Në minutën e 49’ ishte Shaqiri ai që kaloi në avantazh ekipin e tij, teksa baraspesha erdhi nga Martinez katër minuta më vonë me një penallti.
Në minutat 62’ dhe 66’ Haile-Selasi shënoi dy herë për t’ia bërë gjërat më të lehta Çikagos, teksa në minutën e 73’ ishte sërish mesfushori shqiptar që i dha goditjen finale Inter Majemit.
Kjo e fundit tashmë rrezikon të qëndrojë jashtë zonës “play off” të MLS-së, duke u renditur në vendin e parafundit në Konferencën e Lindjes me vetëm 33 pikë.