Ndihmësi i trajnerit Sylvinho, Pablo Zabalet, foli në prag të ndeshjes së Shqipërisë me Çekinë në Pragë. Argjentinasi shpjegoi zgjedhjet e formacionit, lojën që do të luajnë kuqezinjtë duke prekur edhe elementë të veçantë si Soucek apo Hysaj.

“E dimë që ata janë të fortë fizikisht, të fortë në ajër. Duhet të vazhdojmë me formacionin e njëjtë si ndaj Ukrainës. Daku është zëvendësimi i vetëm për shkak dëmtimi. Ai mund të na japi më shumë ndihmë në aspektin fizik. Do të jetë e vështirë, por do t’i përshtatemi lojës së kundërshtarit.

Ata kanë një trajner të ri, por pres të njëjtën ndeshje si herën e fundit që u përballëm këtu. Ekip direkt, topa të gjatë, të fortë në ajë. Do të jetë një ndeshje e njëjtë si një vit më parë.

Soucek? Lojtar i rëndësishëm, shumë agresiv në mesfushë. Duhet të jemi të kujdesshëm pasi në krosime ai e gjen shumë mirë kohën. Mesfushorët tanë duhet ta kenë nën kontroll kudo që të jetë.

Do sulmojmë apo do mbrohemi? Nuk duam të lëmë hapsira pas. Nuk jemi skuadër që luan 90 minuta me presing lart në fushë. Duhet të jemi kompakt duke mos lënë hapsira brenda e të jemi të shpejtë në kundërsulm. Nuk duam të qëndrojmë shumë prapa, por një mesatare. Çekia nuk të lë shumë hapsira, do të mundohemi të jemi sa më të kujdesshëm.

Hysaj pa minuta? Ai nuk ka luajtur me Lazio, por nuk është jashtë ekipit. Ai akoma stërvitet me skuadrën. Kështu rastesh i kemi patur edhe më para. I mungojnë minutat, por ai stërvitet gjithmonë. Hysaj është në gjendje të mirë, ka eksperiencë”, tha Zabaleta.