Zyrtarizimi është çështje orësh! Mançester Junajtid do paguajë klauzolën e trajnerit që ndiqte Mançester Siti si pasardhës të Guardiolës

Mançester Junajtid duket se ka gjetur shumë shpejt trajnerin e tij të ri, pasi raportohet se ka pasur bisedime me emrin që po planifikon të ulë në pankinë pas shkarkimit të Erik Ten Hag. Konfirmimi ka ardhur nga klubi i Sporting Lisbonës, pasi emri i përzgjedhur është ai i teknikut të kësaj skuadre, Ruben Amorim.

Me një deklaratë zyrtare, klubi portugez bëri të ditur se Mançester Junajtid ka shprehur zyrtarisht interesin për trajnerin dhe dëshirën pr të paguar klauzolën e largimit të tij prej 8,3 milionë paund. Raportohet gjithashtu se drejtuesit e klubit anglez kanë shkuar drejt Lisbonës, për të takuar që sot trajnerin i cili në darkë do të jetë në fushë me ekipin e tij në ndeshjen e Kupës së Portugalisë.

Amorim ka marrë vlerësime të mëdha për faktin se e ktheu përsëri Sportingun në majë të futbollit portugez, duke fituar pas 19 vitesh pritje titullin në vitin 2021 dhe përsëritur atë sukses edhe një vit më parë. Trajneri do të largohej në fund të këtij sezoni dhe mendohej se do të ishte zgjedhja e parë e Mançester Sitit për të zëvendësuar Pep Guardiolën.

Por Mançester Junajtid ka ndërhyrë në mes duke parë situatën e Ten Hag dhe raportohet se ka zhvilluar dy takime me trajnerin që ka piketuar prej kohësh si pasardhësin e holandezit në pankinën e “djajve të kuq”.

PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top