Duke vuajtur dhe pa shkëlqimin e ditëve të tjera, por Barça e Hansi Flick është sërish lider në La Liga. Pas humbjes së vendit të parë për shkak të një “nëntori të mallkuar”, siç e quajti vetë Flick (që më pas u shndërrua edhe në një “dhjetor” të vështirë), skuadra blaugrana po ecën përpara me ritëm të mirë. Barcelona përfitoi nga hapat fals të Atlético dhe Real Madridit për t’u ngjitur dy vende në renditje.
Flick u detyrua të merrte një vendim drastik përpara ndeshjes, duke lënë në stol Jules Koundé për shkak të vonesës në bisedën para ndeshjes. Nuk është as hera e parë dhe as e dytë që ndodh, teksa trajneri gjerman nuk heq dorë nga rregullat e tij të rrepta. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, kundër një rivali të fortë. Ishte një përpjekje e madhe për lojtarët, por jemi të kënaqur, – deklaroi Flick për “Movistar”. – Lojtarët janë të lumtur, sigurisht. Gjithë klubi është i lumtur. Besoj se mund të luajmë më mirë se sot”.
Duke komentuar fitoren ndaj një Rayo në formë të lartë, Flick tha: “Ata nuk kishin humbur në 9 ndeshjet e fundit, kështu që është një sukses i madh. Rikthimi në vendin e parë është shumë pozitiv për tifozët”.
Si zakonisht, Flick nuk dëshiroi të hynte në detaje për episodet e diskutueshme që Rayo Vallecano pretendoi: “Nuk e kam parë episodin. Kemi VAR dhe besoj te VAR-i, është gjithçka që mund të them”.
Lidhur me vendimin për ta lënë Koundé jashtë formacionit titullar, trajneri nuk dha shumë detaje: “Është pjesë e futbollit, ndodhin këto gjëra dhe e lëmë me kaq”. Megjithatë, në konferencën për shtyp, Flick e shpjegoi më gjatë vendimin e tij: “Përpara një ndeshjeje kemi dy ose tri analiza dhe është shumë e rëndësishme që lojtarët të jenë aty. Nuk është e vështirë të mbërrish në kohë. Është çështje respekti ndaj shokëve të skuadrës. Koundé u vonua, rregullat janë të qarta. Nuk duhet të ndodhë, por ndodhi sot”.
Trajneri foli edhe për zëvendësimin e Robert Lewandowski, duke komentuar reagimin e tij: “Është normale, gjithmonë dëshiron të shënojë gola. Sidoqoftë, vendimin e marr unë dhe sot mora këtë vendim. Unë vendos në bazë të ekipit, jo individëve. Jam shumë i kënaqur me performancën e tij, por është në dorën time dhe duhet ta pranojnë të gjithë”.
Flick gjithashtu përmendi përgatitjen fizike të lojtarëve: “Pjesa fizike është merita e Julio dhe ekipit të tij, ata bëjnë një punë të shkëlqyer. Nuk janë vetëm përgatitësit fizikë, por edhe fizioterapistët. Është një punë e mirë e Decos dhe klubit që kanë sjellë këta profesionistë. Nuk është vetëm Pedri në formë të mire. Po, është e vërtetë se ai bëri një ndeshje të madhe, është lojtar i jashtëzakonshëm”.
Në përfundim, Flick u shpreh i kënaqur me ecurinë e ekipit, por kërkoi përqendrim maksimal deri në fund: “Jemi ende në fillimin e fundit të sezonit, ndaj është thelbësore që të gjithë të jenë në formën më të mirë”.